Elmazi dhe Rexha premtojnë: Ne, besnikët e Tomorit

 

383676_456992224360747_1229516359_n

 

Futbolli nuk është vetëm një sport, por edhe një urë për të lidhur miqësi. Dhe ky është një shembull që i shkon përshtat dyshes së Tomorit, Spartak Elmazi-Ervin Rexha, dy futbollistë me karriera krejt të ndryshme deri në startin e këtij sezoni. I pari kishte provuar të luante vetëm me Pogradecin, ndërsa i dyti me eksperiencat në Shkodër dhe Laç. Ndërsa që nga momenti i parë që kanë ardhur në Berat, ata i shikon thuajse të pandarë. Madje, me sjelljen e tyre në fushë dhe jashtë saj, lojtarët janë kthyer në benjaminët e tifozërisë beratase. Në një bisedë për “Panorama Sport”, si Elmazi ashtu edhe Rexha, kanë pranuar se do t’i qëndrojnë besnik Tomorit.
Spartak Elmazi - “Përpara se të pranoja ofertën e Tomorit unë kisha luajtur vetëm për Pogradecin. Si një eksperiencë e re sigurisht që i ‘trembesha’ ambientimit, por edhe me qytetin, pasi e dija dashurinë që kanë beratasit për futbollin në përgjithësi dhe Tomorin në veçanti. Mirëpo, më duhet t’ju them se pikërisht këta tifozë ma bënë shumë të lehtë ambientimin dhe në asnjë moment nuk u ndjeva i vetmuar. Duket se ardhja e teknikut të ri Egilmez ka ndikuar për mirë në gjithë ambientin futbolldashës, por akoma më shumë te ne futbollistët. Matematika na lejon që të vazhdojmë të luftojmë për arritjen e objektivit, që është mbijetesa. Pikërisht projekti i Egilmez dhe mbështetja e fansave bëjnë që të mos largohemi në këtë moment nga Tomori, por të vazhdojmë luftën për realizimin e objektivave”.
Ervin Rexha - “Pavarësisht rezultateve jo pozitive që na kanë përndjekur gjatë pjesës së parë të sezonit, angazhimi im për këtë fanellë gjithnjë ka qenë maksimal, çka do të vazhdojë edhe në pjesën e dytë. Tani, edhe pse në një periudhë pushimi, sytë i kemi drejtuar nga faza e dytë dhe po presim lëvizjet që klubi do të bëjë në favorin e krijimit të një skuadre të denjë. Pavarësisht pozicionimit në tabelë, shpresat për mbijetesë në Superiore nuk janë shuar asnjëherë. Ardhja e teknikut të ri Egilmez duket se i ka rindezur edhe më fort këto shpresa, pasi tashmë të gjithë besojmë më shumë në arritjen e objektivit tonë final”, – ka përfunduar Rexha.