Kapiteni Mile joshet nga projekti i trajnerit Egilmez

 

Mile-dhe-Egilmez
Kapiteni Vangjel Mile dje është rikthyer në stërvitje. Pas mungesës së gjatë dhe shumë zërave që qarkullonin për një largim të tijin, ai ka rrëfyer të ardhmen e tij. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi beratas ka shpjeguar se do qëndrojë, por vetëm nëse klubi do miratojë projektin e trajnerit të ri. “E di që ka sjellë pak pështjellim në Berat mungesa ime gjatë seancave stërvitore, por kjo e gjitha ka qenë me një leje nga klubi dhe për arsye personale. Isha shumë kurioz ta njihja nga afër trajnerin e ri, Hasan Egilmez. Ajo që kuptova gjatë kësaj seance të parë stërvitore ishte se në një pjesë të mirë të grupit ishte rritur vetëbesimi. Po ashtu dallohej një nivel i lartë disipline. Pas mbylljes me sukses të seancës së parë stërvitore, pata edhe një takim personal me teknikun e ri Egilmez. Biseduam thuajse mbi gjithçka në lidhje me skuadrën për ta ndihmuar në ambientimin me grupin. Po ashtu edhe për projektin e tij. Madje më kërkoi sugjerim për disa nga futbollistët aktualë, apo ata që pritet të vijnë. Ishte një projekt interesant e shumë ambicioz, ndaj më pëlqeu fakti që isha pjesë e rëndësishme në planet e tij. Më vjen mirë që Berati dhe ne si futbollistë do kemi fatin e madh të punojmë me një profesionist të tillë dhe një karrierë për t’u pasur zili. Pas kësaj bisede kuptova që edhe e ardhmja ime do të jetë e lidhur me këtë teknik, gjithnjë nëse klubi do ta mbështesë. Përndryshe do më duhet të shoh pozicionin tim në merkato. Do të shoh me kujdes gjithë ofertat që kam dhe më pas do vendos për të ardhmen time. Mendoj se muaji janar do të jetë deciziv për këtë vendim”, – tha sulmuesi beratas.