Llani: Respektoj kontratën me Tomorin

 

llani-vesh-dorezat

Që në momentin e parë kur shkeli në Berat tekniku i ri i Tomorit, Hasan Egilmez, vlerësoi portën si repartin më të plotë dhe efikas të skuadrës beratase. Ai shprehu konsideratat më të larta për gardianin Llani dhe më të rinjtë, Naco dhe Shtrepi. Në një bisedë për “Panorama Sport”, Ervin Llani shprehet se e shikon me shumë besim planin e ri të Egilmezit, teksa ka deklaruar se nuk e mendon largimin nga Tomori. “Që pas ardhjes së trajnerit Egilmez, ne kemi kaluar në një periudhë ndryshimi sa i përket asaj çfarë pritet të ndodhë në pjesën e dytë. Duket se mosarritja e objektivave të skuadrës gjatë fazës së parë nxiti drejtuesit të ndryshojnë drejtim sa i përket organizimit. Egilmez, edhe në bisedat që ka zhvilluar me grupin e futbollistëve, ka kërkuar të injektojë një mentalitet të ri, që askush të mos ndihet i dorëzuar, madje duke shprehur besimin maksimal edhe te grupi aktual i futbollistëve. Gjithashtu ka shprehur edhe idenë se në skuadër duhet ndryshuar diçka, si për sa përket mentalitetit, por edhe organikës, duke nisur punën që në fundin e këtij muaji për të synuar sa më shumë afrime, kryesisht në tregun afrikan, por besoj se do të shihet edhe nga tregu vendës. Me afrimet e bëra, shto këtu edhe kontingjentin aktual, besoj se shumë shpejt do të shihet një tjetër Tomor”. Duke vijuar më tej, Llani ndalet edhe tek ofertat që ka marrë gjatë kësaj periudhe. “Kam marrë disa oferta, madje një pjesë e tyre kanë qenë prezente dhe në shtyp. Pavarësisht këtyre ofertave, gjithnjë jam shprehur se aktualisht jam një futbollist i Tomorit dhe nuk mund të largohem nga kjo skuadër. Gjithsesi, mendoj se periudha e merkatos është vetëm në fillimet e saj dhe janari pritet të jetë deciziv për çdo skuadër apo futbollist. Unë dua të shpreh besimin tim maksimal te tekniku i ri dhe te skuadra, duke besuar se ky vit do të jetë në krahun tonë. Kujtoj se edhe në të njëjtën periudhë të sezonit të shkuar ishim thuajse në të njëjtat pozita. Por, falë besimit dhe angazhimit maksimal të treguar nga skuadra, arritëm t’i mbijetonim Superiores dhe të njëjtën gjë dua ta përsërisim”.